Sekuestrohen vila e llogari bankare me vlerë 3 milionë euro, i përkisnin noteres 35-vjeçare

Autoritetet kanë sekuestruar 18 asete me vlerë 3 milionë euro, që dyshohet se burojnë nga aktivitet kriminal dhe janë përfituar nga një notere, e identifikuar si Sanja Telhallari, raporton A2 CNN.

Paralelisht po kryhen veprime hetimore dhe procedurale, për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të 35-vjeçares, me burime të dyshimta, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore burimin e të ardhurave të kësaj shtetaseje.

Sipas hetimeve rezulton se gjatë një periudhe gati 11-vjeçare, Sanja Telhallari ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e këtyre pasurive të paluajtshme, por që nuk justifikoheshin nga të ardhurat ekonomike prej punës si noterë.

Verifikimi çoi në mospërputhje të dukshme mes të ardhurave të ligjshme dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Prokuroria dyshon se një pjesë e parave janë të ardhura të paligjshme të ish-bashkëshortit, Klodian Porja, i cili rezulton në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dënuar me 21 vjet burg për shfrytëzim prostitucioni.

“Në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar në Prokurorinë e Tiranës, me objekt gjurmimin e aseteve kriminale, të dyshuara të përfituara nga shtetasja Sanja Telhallari, 35 vjeçe, banuese në Tiranë, gjatë kryerjes së detyrës si notere, Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizoi operacionin “Nënshkrimi”. Në vijim të veprimeve procedurale, të kryera në kuadër të këtij procedimi, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për ekzekutimin e 18 pasurive të 35-vjeçares, me vlerë 3 milionë euro, konkretisht 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare”, tha policia.

Hetimet dhe veprimet operacionale, vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *