Fotoja e shpërndarë nga ceremonia mortore e Eldion Kelmendit, vëllait të reperit Gjesti, ku shihen dhjetëra njerëz me telefona duke filmuar, ka shkaktuar një valë të fortë reagimesh.
Aktorja Eliona Pitarka ishte ndër figurat publike që reagoi më ashpër, duke e cilësuar këtë skenë si një tregues të rënies njerëzore.
Aktorja ndau foton tronditëse, ku njerëzit, edhe në momentin më të shenjtë para varrimit, ishin të fokusuar tek celulari. Pitarka shkroi se këto pamje ishin të tmerrshme jo vetëm për humbjen tragjike, por edhe për atë që pasqyronin.
Ajo nuk la gjë pa thënë, duke u shprehur thellësisht e indinjuar.
“Për mua, kjo është fundi i njerëzimit. Është e frikshme. Është e tmerrshme. Dhe më vjen thellësisht keq që kemi mbërritur këtu, në një realitet ku edhe momentet më të ndjeshme e më të shenjta nuk respektohen më,” shkroi ajo.
Reagimi i plotë:
“Sot u shpërnda një foto nga varrimi i një djali të ri, vëllai i një personazhi publik. Një djalë që ndërroi jetë në rini, dhe pamjet ishin tronditëse jo vetém për humbjen në vetvete (që është e dhimbshme pa fund), por për atë çfarë shfaqnin: njerëz që në momentin më të shenjtë, përpara varrimit, ishin të gjithë me telefona në duar, duke filmuar.
Për mua, kjo është fundi i njerëzimit. Të kuptojmë nga kjo skenë se sa bosh është bërë shoqëria jonë, sa të pashpirt janë bërë njerëzit, dhe sa shumë negativitet, ligësi e madje edhe mallkime derdhim përditë në rrjetet sociale.
Është e frikshme. Është e tmerrshme. Dhe më vjen thellësisht keq që kemi mbërritur këtu, në një realitet ku edhe momentet më të ndjeshme e më të shenjta nuk respektohen më”.

Ky reagim i Pitarkës, së bashku me kritikat e Efi Dhedhes dhe Xheneta Fetahut, tregon se figura publike po distancohen nga kthimi i dhimbjes në spektakël mediatik.











Leave a Reply