Pushimi në Shqipëri u kthye në makth për një familje

Familja holandeze Beenen nga Veldhoveni kishte kohë që priste me padurim pushimet në Shqipëri. Por ajo që nisi si një udhëtim i ëndrrave, përfundoi në një makth të vërtetë.

Pas një aksidenti automobilistik në jug të vendit, Perry Beenen u arrestua dhe kaloi gjashtë ditë në burg, në kushte të rënda, përpara se të lirohej me një garanci prej 12 mijë eurosh.

Ngjarja ndodhi më 6 gusht, kur familja Beenen dhe miqtë e tyre kishin mbërritur në një qytet me rreth 30.000 banorë në jug të Shqipërisë, ku kishin prenotuar një hotel. Ndërsa Perry po largohej me makinë nga hoteli për të shkuar drejt një parkingu, një tjetër automjet e goditi fort nga ana e shoferit. Airbagët u hapën dhe xhamat u thyen nga përplasja e fuqishme.

Menjëherë pas aksidentit mbërriti policia, por sipas Beenen, procedurat ishin shumë të ndryshme nga ato në Holandë.

“Në Holandë plotëson një formular dëmi, por këtu as që u përmend. Më pyetën të njëjtat pyetje disa herë dhe m’u desh të tregoja tri herë dokumentet e makinës. Ishte shumë e çrregullt,” u shpreh ai.

Ajo që nisi si një formalitet, përfundoi me arrestimin e Perry-t, pasi u akuzua për shkaktimin e një aksidenti me të lënduar.

“Pak para se të më fusnin në furgonin e arrestimit, munda ta shikoja për herë të fundit gruan time në sy,” rrëfen ai.

Beenen u dërgua në burg, ku sipas tij, kushtet ishin të vështira.

“Ndiheshe sikur ishe kthyer në vitet ’60. Batanije të trasha prej leshi, një tualet i vogël, një lavaman dhe mbetje të jashtëqitjeve të minjve,” tregon ai.

Gruaja e tij, Annelies, shkoi nga një bankomat në tjetrin për të mbledhur shumën e nevojshme për lirimin e tij me kusht.

“Ishte një moment i rëndë kur doli nga burgu. Të gjithë u përqafuam dhe qamë para hyrjes,” tregon ajo.

Rasti i familjes Beenen nuk është i vetmi. Ministria e Jashtme e Holandës dhe vendet e tjera evropiane kanë marrë raportime për arrestime pas aksidenteve rrugore në Shqipëri, duke nxitur paralajmërime të reja për qytetarët që udhëtojnë atje. Autoritetet holandeze theksojnë gjithashtu se rrugët në Shqipëri janë në gjendje të keqe dhe se sjellja agresive në drejtimin e automjetit është e zakonshme.

Pas këtij përjetimi traumatizues, Perry Beenen thotë se nuk do të kthehet më kurrë në Shqipëri dhe dëshiron të paralajmërojë bashkëqytetarët e tij.

“Mendohuni mirë përpara se të shkoni. Shqipëria nuk është në BE, ligjet janë ndryshe dhe shumë pak njerëz flasin anglisht. Unë personalisht nuk do ta vizitoj më kurrë.”


Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *