Skandal në Australi: Kremrat e diellit të reklamuar si SPF 50+ rezultuan me mbrojtje vetëm SPF 4

Të paktën 18 produkte kundër diellit janë tërhequr nga tregu australian, duke shkaktuar shqetësim të madh te konsumatorët lidhur me sigurinë dhe efektivitetin e tyre.

Një analizë e publikuar në qershor nga një organizatë mbrojtjeje të konsumatorëve zbuloi se disa prej kremrave më të shtrenjtë dhe më të njohur në treg, nuk ofronin nivelin e mbrojtjes që pretendonin në etiketë.

Një prej produkteve që u vu në qendër të vëmendjes ishte “Lean Screen Skinscreen” nga kompania Ultra Violette, e cila reklamohej me SPF 50+, por në testime reale rezultoi se ofronte vetëm SPF 4,  një nivel mbrojtjeje thuajse i papranueshëm. Si pasojë, ky produkt u tërhoq vullnetarisht nga tregu në muajin gusht.

Autoriteti rregullator i barnave në Australi (TGA) paralajmëroi se rreth 20 produkte të tjera të markave të ndryshme ndajnë të njëjtën formulë bazë, e cila sipas testimeve paraprake nuk ofron më shumë se SPF 21, ndërsa disa mund të kenë SPF minimal prej vetëm 4.

Deri tani, 8 produkte janë tërhequr plotësisht ose është ndaluar prodhimi i tyre, 10 të tjera janë ndaluar nga shitja, dhe 2 janë ende në proces vlerësimi, raportoi BBC. Një nga këto produkte prodhohet në Australi, por nuk është shitur ndonjëherë në tregun vendas.

Kompania Wild Child Laboratories Pty Ltd, prodhuesja e formulës bazë që përdorej në disa prej këtyre kremrave, ka ndalur përkohësisht prodhimin, por mohon të ketë probleme në fabrikat e saj. Sipas saj, problemet mund të lidhen me çështje më të gjera që prekin industrinë në tërësi, dhe jo vetëm me prodhimin specifik.

Australia ka nivelin më të lartë të rasteve me kancer të lëkurës në botë, si dhe rregullat më të rrepta ndërkombëtare për produktet që ofrojnë mbrojtje nga rrezet UV. Dy nga tre australianë, sipas statistikave, do t’i nënshtrohen një ndërhyrjeje kirurgjikale për probleme të lëkurës gjatë jetës së tyre.

Kjo është arsyeja pse autoritetet shëndetësore janë veçanërisht të kujdesshme dhe kanë filluar hetime të thelluara për të garantuar sigurinë e konsumatorëve, ndërkohë që qytetarëve u bëhet thirrje të kontrollojnë me kujdes produktet që përdorin për mbrojtje nga dielli.

Burimi: Panorama

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *